Telegrafi

LDK reagon ndaj BE-së pasi paralajmëroi udhërrëfyes të ri për vizat: S’ka më asnjë kusht që duhet të plotësohet nga Kosova

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj Komisionarit të Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi, i cili ka paralajmëruar udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Në një postim në Facebook, Hoti ka shkruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet që nga marsi i viti 2018 dhe se nuk ka më asnjë kusht që duhet plotësuar.

Lexo po ashtu Varhelyi paralajmëron udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave

“Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet që nga marsi i viti 2018 dhe meriton t’i liberalizohen vizat.  Për të bindur Francën, në vitin 2020 është ngritur grupi punues i Ministrive të Brendshme respektive për të vënë në dispozicion të insiticioneve fanceze informatat e nevojshme për vendimmarrje pozitive”, ka thënë ai.

“Ky grup punues është vendosur të formohet në takimin që kemi pasur me Presidentin Macron në korrik 2020, duke ndjekur shembullin e mirë të Qeverisë Haradinaj me Gjermaninë në vitin 2019. Ky grup e ka kryer punën e vetë dhe tani duhet pritur vendimi pozitiv, sepse nuk ka më asnjë kusht që duhet të plotësohet nga Kosova”.

Lexo po ashtu Udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave? Ish-ambasadori holandez: Kërkesat e tilla nuk janë bërë për vendet tjera

Franca dhe Holanda janë dy vendet skeptike për liberalizimin e vizave për Kosovën. E sipas Hotit, qëndrimet e këtyre dy vendeve janë krejtësisht rezultat i dinamikës së tyre të brendshme politike, dhe kjo nuk duhet lejuar të ngritët në nivel të çfarëdo udhërrëfyesi të ri për liberalizim të vizave për Kosovën.

“Qasja e Komisionarit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, është vetëm arsyetim për të prolonguar më tej këtë vendim të BE-së”, ka përfunduar deputeti i LDK-së.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në. /Telegrafi/