Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke e quajtur të paaftë për të qeverisur në kohë krize.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri në një konferencë për media theksoi se disa ministri e kanë 0 për qind realizimin e buxhetit për investime kapitale në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022.
“Qeveri e zero projekteve. Paaftësi qeverisëse në kohën më të keqe…Pushtet popullist”, u shpreh Tahiri, raporton Telegrafi.
“Është skandal i madh e i rrezikshëm që katër ministri e kanë 0 për qind realizimin e buxhetit për investime kapitale”, tha ai më tej.
Sipas tij, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal si dhe Ministria e Zhvillimit kanë 0 për qind realizim të buxhetit për investime kapitale.
Tahiri foli edhe për krizën energjetike, duke thënë se LDK kaherë ka paralajmëruar për krizën, për të cilën Qeveria Kurti e mohonte.
“Ministria nuk ndërmerr asnjë hap për të përmirësuar gjendjen energjetike…”, tha ai.
Ndërkaq, Jehona Lushaku, anëtare e Kryesisë së LDK-së foli për Ministrinë e Mbrojtjes, duke thënë se ka realizuar më pak se 10 për qind të investimeve kapitale.
Sipas saj, nga 53 milionë euro të dedikuara për investime në Ministrinë e Mbrojtjes ka realizuar vetëm 2 milionë. /Telegrafi/