Telegrafi

LDK: Partia në pushtet e ka shkelur katër herë Kushtetutën

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka deklaruar të enjten se për tri vjet qeverisje, partia në pushtet e ka shkelur katër herë Kushtetutën e vendit.

Sipas tyre, këto shkelje tregojnë më së miri për mospërkushtimin e kësaj Qeverie për shtetin e së drejtës.

“Për tre vjet qeverisje, partia në pushtet ka shkelur 4 herë Kushtetutën, derisa janë edhe disa ligje që janë në pritje të vendimit nga Gjykata Kushtetuese. Këto shkelje tregojnë më së miri mospërkushtimin e kësaj Qeverie për shtetin e së drejtës”, thuhet në postimin e LDK-së në faqen e tyre zyrtare në Facebook.

Kjo parti ka shkruar se shkelja e parë e Qeverisë Kurti ishte kur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishte ndërhyrë në kompetencat e Komunës së Kamenicës për reformën në arsim.

Sipas LDK-së, Ligji për Këshillin Prokurorial i cili u hartua nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, paraqet shkeljen e dyte kushtetuese, ndërsa një tjetër sipas tyre është pezullimi i vendimeve të Komunës së Prishtinës.

Në fund thuhet se shkelja e katërt që Qeveria Kurti e ka bërë është shkarkimi i tetë anëtarëve të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. /Telegrafi/