Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, kreu i kësaj partie, Isa Mustafa ka thënë se do të vazhdojnë bisedimet me LVV-në, drejt arritjes së një koalicioni qeverisës.
Mustafa ka përsëritur se mbesin të palëkundur sa i përket postit të presidentit.
“I informova anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, deputetet ë zgjedhur lidhur me ecurinë e bisedimeve që deri më tani kemi pasur me Lëvizjen Vetëvendosje, për koalicionin e mundshëm qeverisës ndërmjet këtyre dy subjekteve. Mund të ju them se LDK mbetet e përkushtuar që të vazhdojmë edhe më tutje dhe të bëjmë të gjitha përpjekjet në mënyrë që të arrijmë një koalicion për bashkëqeverisje me LVV-në. LDK vlerëson se ky koalicion nuk duhet assesi të shikohet si koalicion i rivalëve politikë, por si koalicion i një partneriteti, i cili do të jetë i destinuar për të bërë ndryshime të domosdoshme në qeverisjen më të mirë të vendit, dhe për tiu ofruar perspektive zhvillimore dhe të shtetit ligjor të Kosovës”, ka thënë ai para mediave, transmeton Telegrafi.
Mustafa tha se Këshilli ishte i bindur se LDK duhet në këtë marrëveshje të vlerësohet karshi përkrahjes që e ka marrë nga qytetarët në zgjedhjet e 6 tetorit, qoftë në ndarjen e përgjegjësive me LVV-në, qoftë edhe në programin qeverisës.
“Ne do të vazhdojmë t’i përgjigjemi ftesës së LVV-së, për takimet e ardhshme, vlerësojmë se në qoftë se do të ketë vullnet, mirëbesim, çështja e marrëveshjes mund të arrihet. Parimi që u tha në Këshill është se pjesë e marrëveshjes duhet të jenë të gjitha pozita, të cilat do të sfidohet ky koalicion qeverisës gjatë 4 viteve. Nuk duhet të kemi koalicioni i cili sfidohet qoftë nga zgjedhje e presidentit apo tjera”, deklaroi Mustafa.
“Në momentit që do të zgjidhet posti i presidenti nga LDK, ne do t’i japim edhe një ministri VV-së”, ka thënë Mustafa para medieve.
Ai theksoi se çështja e presidentit nuk duhet t’i bllokojë bisedimet./Telegrafi/