Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se në përfundim të afatit për ratifikimin e demarkacionit, në mënyrë që kosovarët të lëvizin lirshëm në BE, nga Qeveria paralajmërohet gjetja e një ‘zgjidhjeje’.
Sipas tij, është e qartë se me këtë ‘zgjidhje’ zyrtarët e Qeverisë ju referohen neneve të marrëveshjes së vitit 2015, të cilët garantojnë rishikimin e saj në rast se paraqiten fakte të reja.
“Ta kenë të qartë se nëse kjo ‘zgjidhje’ është ratifikimi i marrëveshjes së vitit 2015, kjo nuk mund të kalojë pa përgjegjësi për vonesën 3 vjeçare të liberalizimit të vizave, djegies së institucioneve dhe dëmtimit të imazhit publik të Kosovës”, ka thënë Hoti.
Ai ka bërë të ditur qëndrimin e LDK-së për demarkacionin duke thënë se LDK do ta votojë këtë marrëveshje.
LDK-ja e voton marrëveshjen e demarkacionit, por ata që kanë ardhur në pushtet duke kundërshtuar me dhunë këtë marrëveshje, duhet t’ju kërkojnë falje kosovarëve. Ata duhet që menjëherë pas ratifikimit të marrëveshje, ta dorëzojnë pushtetin tek sovrani, i cili me një votim të ri do të vendosë se kush duhet ta udhëheq Kosovën drejt të ardhmes evropiane”, ka shkruar Hoti.
Hoti ka thënë se koalicioni ekzistues qeverisës ka ardhur në pushtet për të marrë ‘vendime të mëdha’.
“Duket se i vetmi vendim i madh që ju ka mbetur të marrin është ‘kërkimi i faljes’ ndaj qytetarëve për dëmin që ju kanë shkaktuar. Sigurisht se për këtë vendim të madh të kërkim faljes duhet shumë guxim qytetar dhe intelektual”, ka thënë Hoti./ Telegrafi/