Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas raportimeve të fundit që lidhen me dyshimet për përfshirjen e disa akterëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në afera korruptive.
Sipas mediave, gjatë dy ditëve të fundit janë raportuar përfshirje të strukturave parapolitike të LVV-së në ndërmarrjen publike KEK, si dhe për lidhjet e tyre me aferat korruptive të Nagip Krasniqit dhe Martin Berishajt.
LDK-ja theksoi se shqetësimet e saj të vazhdueshme lidhur me aktivitetet kriminale, punësimet e paligjshme dhe tenderët sekretë kanë rezultuar të sakta.
Po ashtu LDK akuzoi LVV-në për krijimin e një strukture kriminale të organizuar që funksionon përmes skemave të detajuara, përfshirë menaxhimin e reduktimeve të energjisë dhe dhënien e tenderëve sekretë, pa marrë parasysh përgjegjësitë ligjore dhe pa frikë nga llogaridhënia.
LDK-ja ka premtuar se do të përdorë të gjithë mekanizmat institucionalë dhe ligjorë për të zbardhur plotësisht këto raste, ndërkohë që i bën thirrje organeve të drejtësisë të nisin hetime të menjëhershme, në mënyrë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë./Telegrafi/