Kryesia e LDK-së në Prizren, ka marrë vendim që të rinegociojë edhe një herë bashkëqeverisjen me Vetëvendosjen në këtë komunë.
Rinegocimi i është besuar ish-kandidatit të LDK-së për kryetar të Prizrenit, Hatim Baxhaku.
Kryetari i LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli, ka konfirmuar se Kryesia në mbledhjen e sotme, ka marrë vendim që të diskutohej edhe një herë ndarja e pushtetit me Vetëvendosjen.
Ai tha se LDK është pajtuar me numrin e drejtorive, por jo edhe me drejtoritë e përcaktuar nga Vetëvendosje.
“LDK kërkon që oferta të ndryshohet. Drejtoria e Bujqësisë kërkojmë që të udhëhiqet nga LDK , ndërsa të gjenden forma të tjera për Drejtorinë e Shëndetësisë, e cila na është ofruar përveç Drejtorisë së Urbanizmit dhe asaj të Mirëqenies Sociale”, tha Avdyli, raporton TV Prizreni.
Avdyli, tha se para ditës së hënë pritet të zyrtarizohet koalicioni me VV-në.
Ai tha se Hatim Baxhaku ka pranuar të marrë postin e nënkryetarit të Komunës, nëse finalizohet koalicioni me Vetëvendosjen.
“Është pajtueshmëri e përgjithshëm e LDK-së por edhe e VV-së që Hatim Baxhaku të jetë nënkryetar i Komunës”, tha Avdyli. /Telegrafi/