Dega e Lidhjes Demokratikë të Kosovës në Podujevë ka mohuar se asamblisti i kësaj partie Ekrem Rrahmani ka tentuar ta sulmojë fizikisht kryetarin e Komunës, Shepjtim Bulliqi, gjatë seancës së Kuvendit të Komunës të enjten.
Në komunikatë thuhet se “Shpejtim Bulliqi, siç bën zakonisht duke shfrytëzuar një kryesues të dobët, e mori udhëheqjen e seancës në cilësinë e Kryesuesit të Kuvendit, duke tejkaluar kompetencat e tij dhe duke mos kontribuar aspak në krijimin e një gjuhe bashkëpunimi”.
LDK thotë se Bulliqi ka qenë provokativ dhe ka kontribuar në polarizimin e debatit dhe ka fyer asamblistin Ekrem Rrahmani.
“Seancat e Kuvendit transmetohen drejtpërdrejt përmes TV Llapi dhe salla e Kuvendit është e mbuluar me kamera. Pamjet flasin qartë se asamblisti Rrahmani në asnjë moment nuk e ka prekur fizikisht Bulliqin”, thuhet në komunikatën e LDK-së, transmeton Telegrafi.
Reagimi i LDK-së vjen, pasi Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë akuzoi asamblistin e LDK-së se sot ka tentuar ta sulmojë fizikisht kryetarin e Komunës, Shpejtim Bulliqi. /Telegrafi/