Telegrafi

LDK në Fushë Kosovë mohon se nuk deshi të emërtojë rrugën Adem Demaçi, thotë se PDK nuk respektoi procedurat

Nënkryetari i komunës së Fushë Kosovës, Fadil Krasniqi në një prononcim për Telegrafin ka mohuar se Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar emërimin e një rruge me emrin e Adem Demaçi.

Krasniqi ka thënë se njoftimi i PDK-së asamblistët e LDK-së kanë refuzuar emërimin e rrugës me emrin e veprimtarit Adem Demaçi nuk është i vërtetë, pasi sipas Krasniqit një asambliste e PDK-së ka bërë një kërkesë të tillë pa ndjekur procedurat e rregullta.

Lexo po ashtu PDK: Pushteti në Fushë Kosovë refuzon emërtimin e rrugës "Adem Demaçi"

“Kjo nuk është e vërtetë që e kemi refuzuar. Asamblistja e PDK-së, Aida Halimi në rendin e ditës të kuvendit në pikën pyetje-përgjigje parlamentare e ka bërë këtë kërkesë. Për ta emërtuar një rrugë në komunat e Kosovës, ekziston një Komision i kuvendit komunal i cili merret me emërtimin e rrugëve në Fushë Kosovë. Nuk është e vërtetë që ne e kemi refuzuar atë por, duhet të respektohen procedurat”, ka thënë Krasniqi.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dega në Fushë Kosovë, Abdullah Prebeza mohoi se asamblistët e LDK-së kanë refuzuar emërtimin e një rruge me emrin e veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi.

“Nuk kam asnjë informacion në lidhje me atë që shkruhet sot në këtë njoftim. Kryetari i LDK-së, nuk është anëtar i kuvendit, kështu që këto nuk janë të vërteta për arsye se unë kam biseduar sot me organet në komunë, nuk është një kërkesë zyrtare por një kërkesë ad hoc që është drejtuar në kuvend e cila do të shqyrtohet në mbledhjet e ardhshme”, ka thënë Prebeza. /Telegrafin/