Site icon Telegrafi

LDK: Mosveprimet e Qeverisë e detyrojnë ZRRE-në t’i rrisë çmimet e energjisë, kuleta e qytetarit do të rëndohet për 42 për qind

Deputeti i Lidhjes Demoktatike të Kosovës, Besian Mustafa ka thënë se mosveprimet e Qeverisë lidhur me çmimin e energjisë elektrike do ta rëndojë kuletën e qytetarit për 42 për qind.

Mustafa në një konferencë për medie është shprehur se pavarësisht tentimeve të Qeverisë së Kosovës për të manipuluar, çmimet e rrymës do të rriten drastikisht.

“Mungesa e papërgjegjësisë së Qeverisë së Kosovës do të rëndojë kuletën e qytetarit duke rritur çmimin e energjisë elektrike për 42 për qind. Pavarësisht tentimeve për të manipuluar me kalkulimet kinse rezultojnë në mosrritje të çmimeve, ato do të rriten drastikisht, krahas rritjes enorme të çmimeve të produkteve bazë që është përjetuar gjatë muajve të fundit”, tha Mustafa, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, Qeveria ka qenë e njoftuar qysh në pranverë të 2021-së për këtë gjendje.

“Qeveria ka qenë e njoftuar qysh në pranverën e vitit 2021, nga profesionistë vendor dhe ndërkombëtar, për rritje të çmimeve të energjisë në dimrin e vitit 2021 dhe 2022 si dhe për hapat që duhet ndërmarr për të zbutur këtë efekt”, u shpreh ai.

Mustafa thekson se deri më tani janë shpenzuar 115 milionë euro, e në anën tjettër sipas tij janë refuzuar 200 milionë euro nga MCC-ja amerikane.

“Paaftësia e Qeverisë për të menaxhuar furnizimin e energjisë elektrike, deri më tani i ka kushtuar qytetarit të Kosovës me 20 milionë euro të ndara për KOSTT-in, 20 milionë euro të tjera për importin e energjisë dhe 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë, pra 115 milionë euro deri më tani pa investuar një cent të vetëm për të rritur kapacitetet gjeneruese të energjisë”, theksoi Mustafa.

“115 milionë euro të shpenzuara deri më tani, e në anën tjetër Qeveria refuzoi grantin prej 200 milionë dollarë nga MCC-ja amerikane për termocentralin me gaz që do të shërbente për prodhimin e energjisë dhe çmime më të ulta të rrymës”, ka shtuar Mustafa.

Në fund, ai ka thënë se shtrenjtimi i rrymës për 42 për qind do ta dëmtoj rëndë prodhuesin vendor.

“Shtrenjtimi i energjisë elektrike për 42 për qind, e dëmton rëndë edhe prodhimin vendor, sepse si pasojë rritet kostoja e prodhimit, rrjedhimisht prodhuesit vendor pa vullnetin e tyre do të rris edhe çmimin e produkteve që i prodhojnë dhe në mënyrë të drejtpërdrejt do të ndikoj në xhepin e qytetarëve. Mosveprimet e Qeverisë së Kosovës po rezultojnë me mungesë të energjisë dhe mungesën e kësaj pak energjie që po u ofron qytetarëve dhe bizneseve”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/

Exit mobile version