Lidhja Demokratike e Kosovës i ka vendosur kushte Lëvizjes Vetëvendosje, për zgjedhjen e kryesuesit të ri të Kuvendit të Komunës së Prizrenit.
Ky subjekt politik kërkon rifreskim të marrëveshjes së bashkëqeverisjes në këtë qytet.
Shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvend, Haziz Hodaj tha se kushti për Vetëvendosjen është një drejtori më shumë ose postin e Kryesuesit.
“Me qëllim të krijimit të një balance të pushtetit, pas prishjes së koalicionit me Nismën ne kemi kërkuar edhe një drejtori ose Kryesuesin”, tregon Hodaj për “PrizrenPress”.
Kuvendi i Prizrenit ka dështuar të zgjedhë kryesuesin e ri, pas dorëheqjes së Artan Abrashit, i cili në zgjedhjet e fundit është bërë deputet i Kuvendit të Kosovës.
Kandidati i VV-së, Muharrem Kurtaj dhe ai i PDK-së, Sulltan Badallaj, muajn e kaluar nuk kanë marrë vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur kryesus të Kuvendit.
Lidhja Demokratike e Kosovës pati lëshuar mbledhjen e Kuvendit të Prizrenit.
Shef i grupit parlamentar të LDK-së, Haziz Hodaj tha se nga kryetari Mytaher Haskuka kanë kërkuar të shtyhet mbledhja.
Sipas tij, ende nuk ka ndonjë lëvizje konkrete sa i përket tejkalimit të krizës së fundit në koalicionin qeverisës lokal të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.
Hodaj tha se LDK-ja vlerëson se nevojitet një rifreskim i marrëveshjes mes dy partnerëve qeverisës, me qëllim të krijimit të një balance në pushtetin lokal.
Ndërkaq, përfaqësues nga radhët e VV-së në KK-në e Prizrenit kanë vlerësuar se një marrëveshje e re me LDK-në do të krijonte një mundësi më të favorshme për vendimmarrje në organin më të lartë komunal.
Shefi i grupit të këshilltarëve të VV-së në KK-në e Prizrenit, Adem Shabanaj ka pohuar se nuk është në dijeni nëse ka pas ndonjë lëvizje rreth përtëritjes së ujdisë me LDK-në.
Ai ka vlerësuar se një marrëveshje e re me LDK-në do të krijonte një komoditet më të mirë në vendimmarrje për koalicionin qeverisës.
Shabanaj ka përkujtuar se marrëveshja e koalicionit VV-LDK në Prizren ka qenë në nivel të kandidatëve për kryetar të komunës.
Sipas tij, koalicioni me LDK-në është bërë për të siguruar shumicën në KK dhe se pas largimit të Nismës nga koalicioni ka probleme sa i përket sigurimit të shumicës së votave në organin më të lartë komunal.