Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa sot ka mbajtur takime të ndara me Grupin Parlamentar të kësaj partie dhe me kryetarët e degëve.
Sipas një kumtese për media, në këto takime është diskutuar për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi ku gjatë diskutimit deputetët e LDK-së “nuk u prezantuan fakte se Kosova humb pjesë të sipërfaqes së saj me rastin e marrëveshjes me Malin e ZI”.
Grupi Parlamentar i LDK-së dhe kryetarët e degëve kanë kërkuar që të ratifikohet sa më parë kjo marrëveshje “ që të mos rrezikohet agjenda evropiane, procesi i liberalizimit dhe krijimi i Ushtrisë së Kosovës”.
Komunikata e plotë e LDK-së:
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të takimeve me forumet e LDK-së, mbajti takime të ndara me Grupin Parlamentar të LDK-së dhe me kryetarët e degëve.
Në takimin me Grupin Parlamentar, u diskutua procesi i shenjëzimit të kufirit me Malin e Zi, me ç’rast ekspertët e jashtëm prezentuan procesin, bazën ligjore dhe finalizimin e shenjëzimit.
Gjatë diskutimit me deputetët nuk u prezantuan fakte se Kosova humb pjesë të sipërfaqes së saj me rastin e marrëveshjes me Malin e Zi.
Në takimin me kryetarë të degëve, gjithashtu u diskutua për procesin e shenjëzimit të kufirit me Malin e Zi.
Kryetarët e degëve të LDK-së, fuqishëm përkrahën procesin e shenjëzimit të kufirit me Malin e Zi, si proces i cili forcon integritetin dhe subjektivitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.
Kryetarët e degëve theksuan se kry proces është proces normal i shtetndërtimit dhe se nuk duhet të shfrytëzohet nga individ të caktuar për agjenda politike dhe për qëllime të ulëta profitere.
Kryetarët e degëve kërkuan që shenjëzimi i kufirit, si pjesë e ndërtimit të subjektivitetit të Kosovës, duhet kryer sa më shpejt, në mënyrë që të mos rrezikohet agjenda evropiane, procesi i liberalizimit dhe krijimi i Ushtrisë së Kosovës.
LDK në vazhdimësi i ka qëndruar dhe do t’i qëndrojë besnik agjendës dhe alternativës evropiane dhe do të jetë e përkushtuar për fuqizimin e miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.