Site icon Telegrafi

LDK kërkon seancë të Kuvendit për Programin e Qeverisë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës me propozim të grupit Parlamentar të LDK-së ka vendosur që më 7 dhjetor të mbahet seanca e re e Kuvendit, në të cilën do të diskutohet lidhur me programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kjo është bë e ditur nga shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai tha se kjo parti do të japë vërejtjet dhe komentet e saja lidhur me programin katërvjeçar të Qeverisë Haradinaj.

“Me propozim të Grupit Parlamentar të LDK-së, u caktua që të enjten e javës që vjen më datë 7 dhjetor 2017, Kuvendi i Kosovës do të diskutojë për Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, një dokument që ka kohë në Kuvend, por nuk ka hyrë në radhë dite. Ne si grup parlamentar jemi duke u përgatitur që të japim komentet tona, vërejtjet tona  në këtë program qeverisës, pasi jemi të shqetësuar se si është duke funksionuar kjo qeveri”, ka thënë ai.

Ndërkaq, të martën më 5 dhjetor, Kuvendi do të shqyrtojë projektligjin e Buxhetit të Republikës së Kosovës për 2018 dhe disa marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare me Bankën Botërore të cilat marrëveshje kanë qenë të negociuara nga Qeveria Mustafa.

“Jemi të vendosur si Grup Parlamentar i LDK-së që të sigurojmë funksionim normal të Kuvendit dhe i ftojmë edhe ato grupe tjera parlamentare që të na bashkohen”, ka thënë Hoti./Telegrafi/

Exit mobile version