Shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë sot se janë shtuar sulmet kundër LDK-së, ndërsa ritheksoi qëndrimin se LDK nuk dialogon për ta ribërë shtetin e Kosovës.
Hoti në një postim në rrjetin social Facebook thekson se LDK është për dialog, por theksoi se nuk do të bëhen pjesë e kësaj maskarade.
Lexoni të plotë postimin e Hotit:
“Ditëve të fundit janë shtuar sulmet kundër LDK-së dhe kjo është pika e vetme ku koalicioni PAN është unik. Mirëpo ata, tani edhe me PSD nën sjetull, nuk janë unik as në strategjinë qeverisëse, as në raportet me aleatët tanë, e as në dialog me Serbinë.
Lajmi i keq për këtë pozitë pa legjitimitet është se LDK nuk ka ndryshuar qëndrimet dhe si duket kjo po ju pengon atyre, prandaj kanë intensifikuar përhapjen e të pavërtetave.
Ne jemi këtu dhe sa herë e shohim të nevojshme do ta përsërisim se jemi për dialog, por nuk bëhemi pjesë e kësaj maskarade. Ne nuk dialogojmë për ta ribërë shtetin e Kosovës, por punojmë që ta forcojmë dhe demokratizojmë atë”, shkruan Hoti. /Telegrafi/