Telegrafi

LDK-ja në proces të finalizimit të listës për kandidatët për deputetë

Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk e ka finalizuar listën me kandidatët që do të garojnë për postin e deputetit në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa ka thënë për Telegrafin se finalizimi i listës është në proces e sipër.

“Degët e LDK-së i kanë dërguar propozimet te kryetari e kryesia, tash mbetet që kryetari dhe bartësi i listës të finalizojnë listën e kandidatëve për deputetë”, u shpreh Mustafa.

Besian Mustafa – zëdhënësi i LDK-së

Ai foli edhe për çështjen e përfshirjes së AKR-së në këtë listë, duke thënë se ende nuk është finalizuar kjo çështje.

“Në momentin që kjo do të ndodh, kandidatët e AKR-së për deputetë do të jenë të përfshirë në listën e LDK-së”, tha Mustafa.

Ndryshe, të shtunën përfundon afati për aplikim të subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje në KQZ.

Kujtojmë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt 2021./Telegrafi/