Site icon Telegrafi

LDK-ja e lidh Deklaratën e 2 Korrikut me Ibrahim Rugovën

Lidhja Demokratike e Kosovës ka përkujtuar 26 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, si një ndër ngjarjet e rëndësishme historike në fazën e krijimit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

“Të nderuar qytetarë,

Sot, përkujtojmë Deklaratën Kushtetuese të 2 korrik 1990, ditën kur deputetët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, rikonfirmuan vendosmërinë e paepur të popullit të Kosovës për krijimin e shtetit të lirë, të pavarur dhe demokratik.

Lëvizja gjithëpopullore e Kosovës, e prirë nga Presidenti Historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, unifikoi popullin rreth kësaj kauze, vuri bazat juridike e institucionale të shtetësisë si dhe fitoi përkrahjen e botës demokratike, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këto përpjekje epike u pasuan nga lufta e çlirimtare e popullit të Kosovës dhe ndërhyrja e NATO-së, të cilat sollën përfundimisht lirinë në Kosovë.

Sot, Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur, i njohur nga më shumë se gjysma e shteteve të botës, me procese të avancuara eurointegruese dhe me trende pozitive të zhvillimit ekonomik e institucional.

Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 dhe aktet e tjera historike të ndërmarra në epokën e luftës së gjithanshme për liri, janë dëshmi historike e vizionit shtetformues dhe përkushtimit të paepur të popullit të Kosovës të cilat do të përkujtohen me krenari ndër breza”, thuhet në njoftim.

Exit mobile version