Sipas KDI-së, të rinjtë ndërmjet moshës 17 dhe 21 vjeçare kanë deklaruar se nëse zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbaheshin nesër, do të votonin për këto parti politike: Lëvizja Vetëvendosje 27%; Partia Demokratike e Kosovës (20%); Lidhja Demokratike e Kosovës (13%); Aleanca Kosova e Re (7%); Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (7%), Nisma për Kosovën (3%) si dhe Lista Serbe (3%).
Dardan Molliqaj, Sekretari Organizativ i Vetëvendosjes, ka komentuar hulumtimin e publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) gjatë ditës së sotme i kryer me të rinj të moshave 17-21 vjeç.
“Kur disa muaj më parë një sondazh kredibil e renditi Vetëvendosjen si subjektin e dytë më të pëlqyer në Kosovë, LDK dhe PDK nuk reshtën së sulmuari sondazhin. Sot kur një sondazh tjetër i një organizate të Shoqërisë Civile po e nxjerr Vetëvendosjen si subjektin e parë më të pëlqyer nga votuesit e rinj që do të marrin pjesë për herë të parë në zgjedhje, këto dy subjekte kanë heshtur dhe nuk po flasin”, ka thënë Molliqaj në profilin e tij në Facebook.
“Rritja e madhe e Vetëvendosjes është bërë fakt i pamohueshëm dhe me gjasë kjo është arsyeja pse sot LDK dhe PDK nuk folën asnjë fjalë”, u shpreh ai.