Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Isa Mustafa i LDK-së, nuk ka të ndalur në politizimin e të gjitha institucioneve. Burime të Gazetës Blic bëjnë të ditur se partia e kryeministrit Isa Mustafa, po e do me çdo kusht për vete edhe postin e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Mirëpo, për shkak se LDK-ja nuk arriti që ta zgjedh njeriun e saj në krye të kësaj agjencie, u anulua edhe konkursi i fundit.
“LDK nuk arriti që ta fus kandidatin e saj të preferuar dhe për pasojë u anula konkursi, me arsyetimin se Komisioni përgzjedhës e ka shkelur rregulloren e brendshme që brenda tri ditësh pas intervistave, të përpilojnë listën me kandidatë për emërim nga bordi”, ka thënë ky burim i Gazetës Blic i afërt me bordin e AKP-së.
Gazeta merr vesh se kandidatët që dështuan të zgjedhen drejtor të AKP-së, e që konsiderohen të afërt me partinë e Isa Mustafës janë: Shkelzen Morina, drejtor i Departamentit të Tatimit në Pronë në Ministri të Financave dhe zyrtari i lartë i likuidimit në AKP, Fevzi Hajdari.
“Konkursi dështoi për shkak se LDK dështoi që të vendoste dikë nga këta dy kandidatë në krye të AKP-së”, tha ky burim.
AKP momentalisht udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues, Avni Jashari./ Gazeta Blic/
–