Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në seancën e sotme të Kuvendit kanë adresuar kritika ndaj Qeverisë së Kosovës, lidhur me krizën energjetike.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, duke iu referuar një raportimi në media që KESCO, kompania e faturimit ka bërë kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave.
Bajrami ka thënë se po fillon edhe një cikël tjetër i shtrenjtimit të rrymës.
“KESCO raportoi se po e kanë dorëzuar një kërkesë të tillë. Ka disa muaj që e kemi ngritur çështjen që në vjeshtë ndoshta do të përballemi me një krizë energjetike por as ne nuk e kemi besuar që kjo do vijë në korrik. Tani pyetja z. Kryeministër është që ku është problemi i moszbatimit të subvencionit prej 100 milionë eurosh. A mund t’i garantoni sot qytetarët që nuk do të ketë
edhe një ngritje tjetër”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se si grup parlamentar së fundmi kanë vizituar të gjitha institucionet që janë përgjegjëse në sektorin e energjisë për të iniciuar një debat për të ngritur vetëdijen dhe për të parandaluar mesazhin që po na vjen tash e disa muaj për një krizë energjetike e një kolaps në sektorin energjetik të Kosovës.
Tahiri ka shtuar ka neglizhencë shumë serioze të Qeverisë së Kosovës në raport me një krizë që po na vjen.
“Qeveria ende nuk i ka transferuar mjetet për të cilat është zotuar për subvencionim të energjisë. Është e papranueshme të vazhdoje me avazin e vjetër, tri herë vitin e kaluar institucionet e patën paralajmëruar Qeverinë. Kërkojmë nga qeveria ta trajtojë urgjentisht këtë çështje. Marrëveshja për energjinë me Serbinë. Serbia ende nuk e ka dorëzuar listën e konsumatorëve dhe nuk ka ende asnjë fjalë të vetme nga Qeveria jonë”, ka thënë ai. /Telegrafi/