Site icon Telegrafi

LDK e AAK i bënë “bllok” Kurtit, çfarë thanë nga opozita për ftesën e kryeministrit për takim?

Dy partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë refuzuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për tu takuar dhe për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sesionin pranveror.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar të vonuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për takim për agjendë legjislative.

“Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre”, thuhet në letrën e Abdixhikut.

Kyetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në letrën dërguar Kurtit ka thënë se tema e takimit agjenda legjislative bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare.

Lexo po ashtu E refuzuan Abdixhiku e Haradinaj, deklarohet Kurti: Mendova se është më së miri të takohemi të gjithë së bashku

“Kjo bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare. Z. Besnik Tahiri, i cili e udhëheq grupin tonë parlamentar dhe kolegë tjerë, jam i bindur se do të diskutojnë në frymën kolegiale dhe do te gjejnë një gjuhë, që pastaj do të përçohet në Kuvend nga grupet tona parlamentare por zbatim. Konsideroj që kjo temë bie drejtpërdrejt në përgjegjësinë dhe në dijen e tyre”, thuhet mes tjerash në letrën e Haradinajt.

I vetmi që ju përgjigj pozitiv kësaj ftese ishte kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.

“Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”, ka theksuar Faton Abdullahu, zëdhënës i PDK-së.

E pas refuzimit që mori nga dy partitë opozitare, kryeministri Albin Kurti u shpreh se është i interesuar që të takohet me të gjithë.

Kurti ka thënë se ka qenë i hapur gjithmonë dhe do të vazhdojë të jetë njësoj edhe në vitin e fundit të qeverisjes.

“Jam i interesuar që të takohem me të gjithë dhe mendova se është më së miri të takohemi të gjithë së bashku. Unë jam gjithmonë i hapur, i interesuar, i gatshëm. Këtë e kam treguar edhe në të kaluarën dhe do ta tregojë edhe në ditët, javët e muajt në vijim, tash që kemi hyrë në vitin e fundit të mandatit qeverisës”, ka thënë Kurti. /Telegrafi/

Exit mobile version