Lidhja Demokratike e Kosovës edhe zyrtarisht ka njoftuar se ka shkarkuar Vjosa Osmanin nga pozita e saj si nënkryetare e partisë dhe nga roli i saj si anëtare e Kryesisë.
Tani pozitën e saj e zë kryeministri Avdullah Hoti.
Në votimin për shkarkimin e saj nga 123 anëtarë sa i ka Këshilli Drejtues, 95 kanë marrë pjesë në votim. 70 kanë votuar për, 16 kundër dhe 9 kanë abstenuar.
Siç bën të ditur LDK, për propozimin që Avdullah Hoti të jetë nënkryetar, kanë votuar 99 anëtarë, prej tyre 92 ishin shprehur pro.
“Në bazë të kësaj, si Kryetar i LDK-së konstatoj se Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës VENDOSI që: z. Avdullah Hoti të zgjedhet nënkryetar i LDK-së; znj. Vjosa Osmani të lirohet nga pozita e nënkryetares së LDK-së dhe anëtares së Kryesisë”, ka thënë kreu i LDK-së, Isa Mustafa, në një letër dërguar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.