Lidhja Demokratike (LD) vlerëson se arritja e marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë pasqyron kompromis të ndërsjellë dhe hap perspektiva për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Nga kjo parti thonë se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje fillon epoka e përmirësimit të raporteve me shtetet fqinje.
“Politikat e krijimit të problemeve me shtetet fqinje dhe gjendja e “status quo”, Maqedoninë e kanë larguar nga standardet dhe perspektivat evropiane, ndërsa rezultati i fundit ishte qeverisja autoritare, stagnimi ekonomik, vjedhje dhe ikje të stafit më të mirë jashtë vendit”, thonë nga LD, njofton Telegrafi Maqedoni.
Marrëveshja me Bullgarinë sipas tyre, është rezultat i pjekurisë politike, lidershipit të mirë dhe guximit, si dhe marrja e përgjegjësisë për të ardhmen e shtetit.
“Me këtë marrëveshje krijohen kushte për zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore mes popujve dhe shteteve, respektim të ndërsjellë dhe bashkëpunim ekonomik”, përfundojnë nga LD./Telegrafi/