Telegrafi

Lawrence hedh poshtë pohimet se ka fjetur me Weinsteinin dhe më pas e ka fituar çmimin Oscar

Jennifer Lawrence dhe Harvey Weinstein (Foto: Charley Gallay/Getty Images for VF/Guliver)

Jennifer Lawrence është detyruar t’i përgënjeshtrojë spekulimet se ka pasur marrëdhënie seksuale më mogulin e filmit, Harvey Weinstein, pasi një pohim i tillë ka dalë në dokumentet gjyqësore.

Aktorja holluviduane, e cila u bë e famshme me rolin e saj në filmat “The Hunger Games”, është përmendur nga një aktore anonime në Los Angeles si një prej femrave që ka kryer marrëdhënie intime me producentin e famshëm që po akuzohet për keqtrajtime të shumta seksuale në botën e filmit.

Harvey Weinstein dhe Jennifer Lawrence (Foto: Kevork Djansezian/Getty Images/Guliver)

Në bazë të deklaratës së aktores anonime, në vitin 2013, Weinstein e kishte detyruar atë që t’i kryente seks oral, pasi ajo kishte refuzuar ta bënte këtë gjatë një takimi në zyrën e tij.

Lexo po ashtu Lajmet për Jennifer Lawrence

Sipas dokumenteve legale, 66-vjeçari citohet ti ketë thënë asaj: “Kam fjetur me Jennifer Lawrence dhe shiko ku është tash, ajo sapo e ka fituar një Oscar“.

Harvey Weinstein dhe Jennifer Lawrence (Foto: Kevork Djansezian/Getty Images/Guliver)

Mirëpo, Lawrence – e cila e ka fituar çmimin Oscar në vitin 2012 për rolin e saj në filmin “Silver Linings Playbook”, si dhe është një prej aktoreve më të paguara në Hollywood – ka lëshuar një komunikatë duke mohuar se ka pasur ndonjëherë marrëdhënie seksuale me Weinstein.

“Zemra më thyhet për të gjitha femrat që janë viktimizuar nga Harvey Weinstein. Unë asnjëherë nuk kam pasur asgjë, pos raportit profesional me të. Ky është një tjetër shembull për taktikat përbindëshe dhe gënjeshtrat që i ka përdorur për të joshur një numër të madh femrash”, ka thënë Jennifer.

Edhe përfaqësuesit legal të Weinstein i kanë hedhur poshtë pohimet e aktores, identiteti i të cilës nuk është bërë i njohur. /Telegrafi/