Telegrafi

Lavrov merret me Haradinajn: Haga e liroi, OKB kishte dokument se ishte fajtor

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, në takim me homologun serb, Ivica Daçiq, kanë folur ndër të tjera edhe për Tribunalin e Krimeve të Luftës në ish-Jugosllavi, në Hagë, duke përmendur Haradinaj.

Lavrov ka thënë se përveç që Tribunali i Hagës ka bërë punë të njëanshme dhe të motivuar politikisht, duhet të mbyllet sa më shpejtë që është e mundur.

Lavrov ka mbajtur kursin e njëjtë të gjuhës dhe akuzave, sikurse javën e kaluar është lëshuar një komunikatë nga Rusia, duke thënë se Ramush Haradinaj, sipas një dokumenti të brendshëm në OKB, ka qenë fajtor për krime lufte.

“Tribunali ka fshehur të dyshuar për krime që nuk kanë qenë serbë. Mbaj mend rastin e njërit prej vëllezërve Haradinaj, se kur kam qenë përfaqësues rus në OKB, na është dorëzuar një dokument i brendshëm nga NATO në Seancat e Këshillit të Sigurimit, në të cilin thuhet se ai ka qenë fajtor për krime lufte. Bile ka qenë edhe shprehja ‘i përjeton vrasjen e njerëzve’”, ka thënë Lavrov.

Ai më tej ka përmendur edhe ish-raportuesin evropian, Dick Marty dhe akuzat e tij, duke kujtuar se Vuk Jeremiq kishte propozuar një tribunal për hetimin e këtyre akuzave. /Koha.net/