Me medaljen e artë të fituar në Mastersin e Budapestit, për herë të parë xhudistja Laura Fazliu është pozicionua e para në renditjen olimpike ‘Paris 2024’.
Ajo e fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në -63 kg duke e nisur me një triumf në raundin e parë ndaj rumunes Florentina Ivanescu, derisa në raundin e dytë ishte më e mirë se izraelitja Kerem Primo.
Në gjysmëfinale, xhudistja jonë e eliminoi japonezen Megumi Horikawa, e cila ishte kampione e botës vitin e kaluar. Në finale Laura u përball me japonezen tjetër, Miku Takaichi, ndaj të cilës triumfoi me Ippon, pas një përballje tejet të vështirë.
Distria Krasniqi që e fitoi medaljen e argjendtë është renditur e treta në -52 kg, me dallim të vogël me vendin e parë, ndërsa Nora Gjakova e shtata në -57 kg.
Me vendin e shtatë në Masters, Akil Gjakova ka bërë ngritje të madhe duke u renditur i 28-ti. /Telegrafi/