Liridon Latifi është njëri ndër prurjet e reja të trajnerit De Biasi në Kombëtare për dy ndeshjet e radhës në eliminatoret e Rusi 2018, ndaj Lihtenshteinit dhe Spanjës.
Sulmuesi prishtinas i Skënderbeut u u shpreh mjaft i kënaqur për këtë grumbullim të tij të parë me ekipin A të Kombëtares .
“Jam shumë i lumtur që mora një ftesë për ekipin kombëtar. Dua të falënderoj të gjitha ata që besuan te unë dhe shpresoj që t’ia shpërblej besimin. Është momenti i duhur për të qenë pranë Kombëtares sepse po kaloj një formë shumë të mirë”, deklaroi fillimisht Latifi.
Në intervistën ekskluzive për Supersport, Latifi pranoi se pavarësisht mungesës së ftesës nga Kosova ajo e tija ishte një zgjedhje vazhdimësie.
“Të them të drejtën nuk kam marrë ftesë nga Kosova, por Shqipërinë e zgjodha sepse kam qenë pjesë e ekipeve kombëtare, që nga 17 vjeçarët, 19 vjeçarët, Shpresa e deri te skuadra e parë”, vazhdoi sulmuesi prishtinas.
Këtë verë talenti i Skënderbeut ishte shumë pranë kalimit në Rusi te Rostov, marrëveshje që dështoi në momentet e fundit megjithatë 22 vjeçari pranoi se nuk heq dorë nga dëshira për të provuar një përvojë ndërkombëtare.
“Për fat të keq në verë nuk arrita të transferohem te Rostov. E dëshiroja këtë kalim, pasi Rostov luan dhe në Ligën e Kampionëve, megjithatë shpresoj që verën e ardhshme të arrij të transferohem në një skuadër evropiane dhe të provoj dhe një eksperiencë të re në karrierën time, për të cilën jam gati”, përfundoi Latifi.