Presidenti Donald Trump njoftoi sot se Zëvendëssekretari i Mbrojtjes Patrick Shanahan do të bëhet shefi në detyrë i Pentagonit më 1 janar, duke zëvendësuar Sekretarin e Mbrojtjes Jim Mattis, i cili njoftoi dorëheqjen e tij javën e kaluar.
“Jam i kënaqur të njoftoj se zëvendës sekretari ynë i talentuar i Mbrojtjes, Patrick Shanahan, do të marrë titullin e ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Mbrojtjes duke filluar nga 1 janari 2019,” shkroi presidenti Trump në Twitter, duke nxitur kështu Sekretarin aktual të Mbrojtjes Mattis të largohet nga posti i tij dy muaj më parë.
Shanahan, një ish-ekzekutiv i kompanisë Boeing, u emërua zëvendëssekretar i Mbrojtjes në vitin 2017, përcjell tch.
Në letrën e dorëheqjes së Mattisit, që ai ia paraqiti personalisht presidentit Trump të premten, ai kishte thënë se do të largohej nga posti më 28 shkurt.
Vendimi i sekretarit të Mbrojtjes erdhi një ditë pasi Trump njoftoi se do të tërhiqte rreth 2.000 trupa amerikane nga Siria, një veprim që Pentagoni e kundërshtoi.
Mattis nuk përmendi mosmarrëveshjet mbi Sirinë në letrën e tij, por vuri në dukje “besimin e tij themelor” se forca e Shteteve të Bashkuara është “e lidhur pazgjidhshmërisht” me aleancat e kombit me vendet e tjera.
Presidenti Trump njoftoi së pari largimin e sekretarit Mattis në Twitter, duke thënë se ish gjenerali me katër yje do të dalë në pension.
Ndërsa nuk e përmendi Trumpin me emër, letra nga Mattis përshkruan dallimet e mprehta mes pikëpamjeve të tij dhe atyre të presidentit, sidomos mbi rëndësinë e aleatëve dhe përdorimin e fuqisë së Shteteve të Bashkuara.