Site icon Telegrafi

Largohet ekipi qipriot që ndihmoi në shuarjen e zjarreve, Antoniou: Është e trishtueshme të shohësh natyrën duke u shkatërruar

“Ne u larguam nga Maqedonia e Veriut me përshtypje pozitive, patëm bashkëpunim të shkëlqyer, jemi të kënaqur që ndihmuam dhe ishim të dobishëm për njerëzit”, theksoi Andreas Antoniou, shef dhe koordinator i misionit qipriot që mori pjesë në shuarjen e zjarreve në RMV, dhe në të njëjtën kohë shprehu shpresën se atmosfera e krijuar pozitive do të kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në periudhën prej 7 deri më 14 gusht, dy avionë të tipit “Air Tractor” me katër anëtarë ekuipazhi dhe pesë personel mbështetës tokësor nga Qiproja, në kuadër të asistencës nga mekanizmi i BE-së për mbrojtjen civile, morën pjesë në përballjen me zjarrin në RMV.

Duke iu referuar zjarreve në Maqedoninë e Veriut, ai tha se ato ishin të përmasave të mëdha, “e pamë pronën të shndërrohej në hi” dhe se ata ndërhynë në zona ku zjarri ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për pronën dhe jetën e njerëzve.

“Ditën e parë na informuan se ka pasur 38 zjarre, në një vend dy herë e gjysmë më të madh se Qiproja”, theksoi Antoniou dhe shtoi se zjarret shkaktuan një katastrofë të madhe mjedisore, por gjithashtu patën ndikim të drejtpërdrejtë në jetët e njerëzve.

“Është trishtuese të shohësh humbjen e pyjeve dhe shkatërrimin e natyrës, për shkak të neglizhencës, pakujdesisë dhe/ose qëllimit tonë”, duke shtuar se “të gjithë duhet ta kuptojmë se duke mbrojtur mjedisin në të cilin ne jetoni, ne po mbrojmë dhe jetën tonë”./Telegrafi/

Exit mobile version