Telegrafi

Largimi i serbëve nga institucionet, Sadiku: Nuk më ka pëlqyer si akt – të përshpejtohet arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse

Kryetarët e katër komunave veriore Mitrovica e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq kanë dhënë sot dorëheqje nga pozita e tyre.

Së bashku me ta dorëheqje kanë dhënë edhe këshilltarët në kuvendet komunale nga radhët e Listës Serbe.

Lidhur me këtë çështje, zëvendëskryesuesi e Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, Skender Sadiku ka thënë për Telegrafin se për momentin jemi në bllokadë institucionale.

Ai tha se nuk i ka pëlqyer si akt çështja e dorëheqjes së tyre.

“Në mbledhje sot kryetari i komunës e ka konfirmuar dorëheqjen së bashku me asamblistët nga Lista Serbe. Nuk më ka pëlqyer si akt dhe në Kuvend u thash se nuk jam pajtuar me vendimin, por është çështje e tyre si subjekt politik. Shpresoj që kjo nuk do të afektojë në jetën e qytetarëve, shpresoj që do të kthehen”, u shpreh Sadiku.

Sadiku shtoi se pavarësisht kësaj shërbyesit civil do të vazhdojnë punën.

I pyetur se çfarë ndodh tash pas dorëheqjes, Sadiku u shpreh se “Është bllokadë institucionale sepse këtu Kuvendi e voton kryetarin dhe jemi të bllokuar sepse nuk ka kush e voton kryetarin, shpresoj që nuk zgjatë shumë kjo bllokadë dhe të mos ketë pasoja”.

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës më tej shtoi se qytetarët janë të lodhur me probleme të tilla dhe se është koha për normalitet dhe paqe.

“Qytetarët janë lodhur me telashe e trazira. Mendoj që është koha e normalitetit kemi nevojë për normalitet dhe paqe. Shpresoj që protesta e paralajmëruar për sot në orën 12  të jetë paqësore”, tha Sadiku për Telegrafin.

Sadiku bëri apel te Qeveria e Kosovës dhe ndërkombëtarët që të përshpejtohet procesi i normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.

“Presim që shumë shpejt të kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të gjitha këto storie të përfundojnë. Bëjë apel edhe te Qeveria edhe të ndërkombëtarët që disa procese ti përshpejtojnë që të na kthehet paqja dhe qetësia”, tha Sadiku.

Kujtojmë se të shtunën më 5 nëntor, Lista Serbe ka njoftuar për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Goran Rakiq, kryetari i Listës Serbe, ka thënë më 5 nëntor se vendimi për largim nga institucionet do të zbatohet deri në momentin kur Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për riregjistrim të makinave dhe të respektojë marrëveshjet e Brukselit. /Telegrafi/