Site icon Telegrafi

Largimi nga Familja Mbretërore, zhvendosja në ShBA dhe presioni i pamëshirshëm mediatik – Jeta kaotike e Princit Harry dhe Meghan Markel përgjatë 2020

Më 8 janar të vitit 2020, e gjitha bota u trondit kur Princi Harry dhe Meghan Markle vendosën të largoheshin nga Familja Mbretërore.

Të mendosh privilegjet që të ofron jeta mbretërore dhe të arrish në një vendim të tillë, ishte shokuese dhe e pashpjegueshme për shumë kë.

Njoftimi i parë erdhi përmes llogarisë zyrtare të çiftit në Instagram, të cilët në një shkrim të gjatë njoftuan se po hiqnin dorë nga titujt e tyre si “trashëgimtarë të vijës së parë të frontit”.

“Pas shumë muajsh reflektimi dhe diskutimesh të brendshme, ne kemi zgjedhur të bëjmë një ndryshim këtë vit duke filluar me krijimin e një roli të ri progresiv brenda këtij institucioni. Ne synojmë të tërhiqemi si anëtarë të familjes mbretërore dhe të punojmë për t’u bërë të pavarur financiarisht, ndërsa vazhdojmë të mbështesim plotësisht Madhështinë e saj, Mbretëreshën. Ky ekuilibër gjeografik do të na mundësojë të rrisim djalin tonë me një vlerësim për traditën mbretërore në të cilën ai lindi, duke i siguruar familjes sonë hapësirën për t’u përqendruar në kapitullin tjetër, përfshirë këtu edhe fillimin e entitetit tonë të ri të bamirësisë”, shkruajtën Meghan dhe Harry në Instagram.

Të lënduar nga vendimi i tyre mbetën e tërë Familja Mbretërore, e në veçanti mbretëresha e cila nuk ishte njoftuar paraprakisht, por e mori vesh lajmin përmes Instagramit, ashtu si të gjithë njerëzit e tjerë.

Ajo që ishte planifikuar fillimisht si një “Megxit” – mbajtja e titujve mbretërorë HRH, por duke punuar për t’u bërë vetë-mbështetës – u bë e vështirë kur Pallati i Buckinghamit përjashtoi mundësinë e të qenurit gjysmë e gjysmë nga jeta mbretërore.

Transferimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Duka i Sussex-it filloi jetën e tij të re në Kanada me Meghan Markle dhe djalin e tyre, Archie larg Familjaes Mbretërore, pasi mbërriti në Kanada, me një fluturim të “British Airways” më 20 janar.

Princi Harry udhëtoi nga Londra për në Vancouver me një aeroplan, disa orë pasi përfundoi angazhimin e tij të fundit si një mbretëror i vijës së parë me të drejta në Samitin e Investimeve në Mbretërinë e Bashkuar, në Londrën juglindore

Çifti kanë qëndruar në një rezidencë të mrekullueshme në vlerë 14 milionë dollarësh në Vancouver, të cilën e kanë përdorur që nga Dita e Falënderimeve, dhe qëndruan atje për ca kohë.

Meghan Markle u tha miqve të saj të ngushtë në atë kohë se braktisja e familjes mbretërore ishte gjëja më e mirë që mund t’i ndodhte ndonjëherë Princit Harry dhe tha se “ishte dashuria e saj për atë që e bëri këtë të mundur”.

“Ajo i tha rrethit të saj të brendshëm të miqve se shpirti i saj po shkatërrohej dhe se vendimi për t’u larguar ishte çështje e jetës ose vdekjes – do të thotë vdekja e shpirtit të saj. Ajo tha se nuk donte që Archie të merrej me stresin dhe ankthin e saj. Ajo ndjeu sikur ishte një mjedis toksik për të sepse kishte shumë tension dhe zhgënjime të mbyllura”, kishte treguar burimi pranë çiftit.

Refuzimi i Kanadasë për pagesën e taksave të çiftit

Princi Harry dhe Meghan Markle (Foto: Dan Istitene – Pool/Getty Images/Guliver)

Shteti kanadez refuzoi të paguante për sigurinë e Princit Harry dhe Meghan Markle në Vancouver pasi ata u tërhoqën nga rolet e tyre si mbretër të vijës së parë.

Federata Kanadeze e Tatimpaguesve kishte mbledhur më parë një peticion me 80,000 nënshkrime pranë Kryeministrisë duke këmbëngulur që paratë e taksapaguesve kanadezë nuk duhet të jepeshin për Harryn dhe Meghanin.

Ekspertët pretenduan se mënyra e jetesës së çiftit dhe transferimi në Kanada mund të linte policinë të pa mundur të përballonte kur ndërmarrin udhëtime në vende të ndryshme në mënyrë që të krijonin markën e tyre larg Monarkisë Britanike.

Largimi nga Kanadaja në Los Angeles dhe blerja e rezidencës luksoze

Princi Harry dhe Meghan Markle u larguan në fund të marsit nga Kanadaja në kërkim të një gjendjeje më të mirë dhe shkuan në shtëpinë e tyre në Los Angeles.

“Dyshja donin të ishin afër ‘ekipit të tyre të ri të agjentëve dhe PR-ve të Hollywoodit’, si dhe miqtë e Meghanit dhe nënës së saj Doria”, tregoi një burim për The Sun në atë kohë.

Më 31 mars, çifti edhe zyrtarisht larguan titujt e tyre mbretërorë, duke zgjedhur të jetojnë si njerëz normalë në Los Angeles.

Përderisa ndodheshin në Los Angeles, ata qëndruan në një rezidencë luksoze në vlerë 15 milionë dollarë, e cila ishte në pronësi të Mel Gibson.

Lajmi u bë i ditur nga një faqe e Instagramit që më pas u fshi, kur agjenti lokal i pasurive në LA Andrea Pilot i cili postoi duke shkruar: “Lajme të mëdha, Prince Harry dhe Meghan blejnë shtëpinë e Mel Gibson”.

Më pas u zbulua se Princi Harry dhe Meghan Markle kishin blerë në mënyrë të fshehtë një shtëpi private familjare në Santa Barbara, duke lënë rezidencën e Beverly Hills me 12 dhoma gjumi.

Rikthimi në aktrim dhe marrëveshja me Netflix

Flitej vazhdimisht se largimi nga Familja Mbretërore ishte një “ego” e Meghan Markle që të rikthehej në profesionin e saj si aktore, pasi përderisa ishte pjesë e Mbretërisë, nuk i lejohej ushtrimi i këtij profesioni.

Por burimet pranë saj thanë se ajo është e interesuar të punojë vetëm me regjisorët e listës A me shpresën se ajo do të sigurojë një rol të rëndësishëm, kështu që ajo do të merret seriozisht si aktore.

Ish-aktorja e serialit “Suits” është e shqetësuar se kritikët do të jenë veçanërisht të vështirë për të, kështu që ajo dëshiron të sigurohet që një regjisor i kalibrit të duhur do të punojë me të.

Kështu muaj më pas, Duka dhe Dukesha e Sussex-it kanë njoftuar se kanë nënshkruar një kontratë për të bërë seri televizive, filma dhe programe për fëmijë për ‘Netflix’.

Industria e filmit presin që Harry dhe Meghan të fitojnë më shumë se 100 milionë funte (112 milionë euro) nga kontrata shumëvjeçare.

DailyMail zbuloi shumë sekrete për të cilat ekipi i prodhimit i quajtur ‘MegFlix’ po punon fshehurazi. Ky serial do të flasë edhe për momentin e vështirë kur çifti morën vendimin për t’u larguar nga Mbretëria e Bashkuar.

Një libër për Meghan Markle

Kopertina e librit “Finding freedom: Harry and Meghan and the making of a modern Royal Family”

Në gusht, doli në shitje libri me titull “Finding freedom: Harry and Meghan and the making of a modern Royal Family” i autorëve Carolyn Durand dhe Omid Scobie.

Libri biografik përshkruan jetën e Princit Harry, Duka i Sussex dhe Meghan, dukeshës së Sussex-it gjatë kohës së njohjes, martesës dhe largimit përfundimtar nga familja mbretërore britanike . Libri shkon në detaje në lidhje me marrëdhëniet e tyre, shtëpinë mbretërore dhe jetën personale.

Fragmentet e këtij libri pretendojnë se Meghan bëri këtë rrëfim emocionues në mars, muaj pasi Duka dhe Dukesha e Sussex-it njoftuan se ata do të tërhiqeshin si “mbretër të vijës së parë”.

Princi Harry dhe Meghan Markle (Foto: Chris Jackson/Getty Images/Guliver)

“Unë isha e gatshme të bëja gjithçka që duhej. Por ja ku jemi. Është vërtetë e dhimbshme”, i tha ajo një shoqes së saj, thuhet në një nga citatet e këtij libri.

Libri i nxjerrë në treg nga shtëpia botuese “The Times”, gjithashtu sugjeron që Princi Harry ishte një forcë lëvizëse prapa vendimit të çiftit për t’u larguar nga familja mbretërore dhe për t’u transferuar në Los Angeles.

“Në thelb, Harry donte të dilte jashtë. Thellë brenda tij, ai gjithnjë po luftonte brenda asaj bote. Ajo e hapi derën për të”, thanë burimet në atë kohë.

Familja Mbretërore (Foto: Phil Harris – WPA Pool/Getty Images/Guliver)

Pjesë nga libri i bujshëm pretendojnë se Harry dhe Meghan ndjeheshin ‘të lënë mënjanë’ dhe të irrituar që William dhe Kate morën të gjitha rolet më të mira zyrtare para se të vendosnin të largoheshin për në Sh.B.A.

“Finding freedom: Harry and Meghan and the making of a modern Royal Family” gjithashtu përshkruan se si marrëdhëniet midis çifteve harry dhe Meghan dhe William dhe Kate u bënë aq të hidhura sa që deri në mars çiftet mezi po flisnin me njëri-tjetrin.

E gjithë kjo i bëri Harryn dhe Meghanin ndër personazhet më të përfolur të vitit në media dhe rrjetet sociale.

Për disa u pa si “gabim” largimi nga Familja Mbretërore, teksa për të tjerë u cilësuan si shembull i “largimit, kur ai mbetet e vetmja zgjidhje”. /Telegrafi/

Princi Harry dhe Meghan Markle (Foto: Chris Jackson/Chris Jackson/Getty Images/Guliver)
Exit mobile version