Xavi Hernandez ka konfirmuar se do të largohet nga pozita e trajnerit te Barcelona në fund të sezonit dhe tanimë e ka marrë këtë vendim.
Kjo deklaratë e legjendës së Barcelonës ka tronditur të gjithë, derisa për largimin e tij ka folur edhe presidenti Joan Laporta.
I pari i klubit katalunas ka thënë se e pranon vendimin e Xavit dhe se është i bindur se ai do të jap maksimumin deri në fund të sezonit.
“Unë e pranoj këtë situatë të propozuar nga Xavi për t’u larguar nga klubi në qershor”.
“Unë e miratoj këtë sepse ai është një legjendë e Barçës. Jam i bindur se angazhimi i tij dhe stafit të tij deri në fund të vitit do të jetë maksimal”, deklaroi Laporta.
Laporta foli edhe për objektivat e Barcelonës për pjesën e mbetur të sezonit, ku tanimë janë eliminuar nga Copa del Rey derisa kanë mbetur shumë mbrapa garës për titull.
“La Liga është e vështirë, por nuk është e humbur. Duhet të garojmë deri në fund dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”.
“Duhet të japim gjithçka për të fituar Ligën e Kampionëve. Ne e kemi ndeshjen kundër Napolit, do ta bëjmë hap pas hapi. Puna e të gjithëve, trajnerit, lojtarëve do të vijë me shumë përkushtim. Mendoj se ne mund ta mbyllë mirë sezonin”, tha Laporta.
Xavi njoftoi të shtunën se nuk do të vazhdojë si trajner i Barçës pas disfatës ndaj Villarrealit që e ka lënë klubin 10 pikë larg liderit Real Madrid. /Telegrafi/