Barcelona e ka shumë të vështirë të kaloj nga grupet e Ligës së Kampionëve dhe tanimë asgjë nuk është në dorën e tyre.
Katalunasit duhet t’i fitojnë dy sfidat e fundit në grup, dhe të shpresojnë se Interi nuk e fiton asnjërën nga to për të kaluar tutje.
Presidenti i Barcelonës, Joan laporta ka thënë se nuk e priste të jenin në këtë moment në këtëpikë të sezonit, por pa e harruar edhe rastin e penalltisë kur Dumfries preku topin me dorë.
“Nuk e prisja që të mbërrinim kështu në këtë pikë të sezonit. Stafi teknik dhe trajneri kanë bërë gjithçka që të ishim konkurrues. Grupi ishte i vështirë, me Bayernin bëmë një rezultat të mirë, por penalltia që nuk dhanë në Milano nga VAR-i ishte skandaloze”.
“Qartësisht nuk na pëlqeu arbitrimi. Unë reagova siç duhej dhe fola me UEFA-n, por tani nuk mund të kthehemi më mbrapsht”, tha Laporta.
Tutje presidenti i Barcelonës ka thënë se i ka porositur stafin dhe lojtarët të fokusohen te La Liga, pasi synimi është të fitohet kampionati.
“Kemi rinovuar skuadrën, jemi në ndërtim e sipër dhe duhen rregullime, por kemi besim të paprekur si për Xavi, ashtu edhe për lojtarët. U thashë atyre që të vazhdojnë përpara, që të lënë pas krahëve Ligën e Kampioneve dhe të përqendrohen tashmë te La Liga”, vazhdoi tutje Laporta.
Krejt në fund Laporta foli edhe për Lionel Messin, ku mbetet ëndrra e madhe për ta rikthyer atë në Camp Nou.
“Do të bëjmë diçka për të vlerësuar lojtarin më të mirë të historisë së Barcelonës, të dielën mbushen 18 vite nga debutimi i tij me Barcelonën, po përgatitim disa gjëra. Padyshim që do ta shoh në Paris, te mbrëmja gala e ‘Topit të Artë’. Por ai është një futbollist i PSG-së, duhet respektuar ky fakt. Megjithatë, ka ende shumë tifozë katalanas me fanellën e Mesit”, deklaroi presidenti i klubit katalunas. /Telegrafi/