Site icon Telegrafi

Laporta flet për skandalin që Barcelona pagoi mbi 1 milion euro ish-zëvendëspresidentin në Komitetin Teknik të Gjyqtarëve

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka folur në Barça TV për të shpjeguar lajmin e publikuar nga AS dhe SER Catalunya, ku raportohet se klubi katalunas ka kryer pagesa me vlerë gati 1.4 milion euro për Enriquez Negreira.

Këto pagesa janë kryer për ish-zëvendëspresident në Komitetin Teknik të Gjyqtarëve, mes viteve 2016 dhe 2018.

Laporta ka thënë se nuk është rastësi që e gjithë kjo ka dalë në dritë, pasi Barcelona po shkon shumë mirë në kampionat.

“Nuk është rastësi që ky lloj informacioni ka dalë në dritë tani që Barcelona po ecën mirë. Nuk është rastësi. Nisur nga informacionet e publikuara, duhet përmendur se Barcelona në të kaluarën ka punësuar konsulentë të jashtëm për raportet teknike për lojtarët në divizionet më të ulëta në Spanjë”.

“Përveç kësaj, të njëjtët konsulentë dhanë këshilla për arbitrazh, gjë që është krejt normale në klubet e mëdha. Në fakt, sot këtë shërbim që i përket departamentit të futbollit e kemi integruar në organikën tonë”.

Lexo po ashtu Del në pah skandali i Barcelonës: Ka paguar për tri vite radhazi ish-zëvendëspresidentin e Komitetit Teknik të Gjyqtarëve

“Lajmi po merr vëmendje dhe nuk është rastësi që ka dalë në këtë moment. Nga këndvështrimi i Barcelonës, çdo interpretim keqdashës, provokues që nënkupton gjëra që nuk janë të vërteta do të marrë një përgjigje përkatëse dhe të përshtatshme nga klubi. Ne do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur nderin dhe interesat e Barcelonës”, ka thënë Laporta.

Barcelona është lider në La Liga me 56 pikë, 11 më shumë se Real Madridi që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. /Telegrafi/

Exit mobile version