Telegrafi

Laporta: Barcelona ka të hyra prej 868 milionë euro në dy muaj

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka folur në prezantimin e Robert Lewandowskit, duke thënë se të gjitha lojtarët e afruar do të regjistrohen në përputhje me kërkesat e La Ligas.

Në fakt ai ka folur edhe për operacionet financiare të kryera ditët e fundit, ku sipas tij klubi ka të hyra rreth 868 milionë euro.

“Kemi punuar për t’i regjistruar të gjithë. Ne kemi punuar shumë dhe mirë, për të përmbushur kërkesat. Dhe nëse do të jetë e nevojshme të bëjmë ndonjë operacion tjetër, do ta bëjmë. Jemi në pritje”.

“Është një vendim që ne kemi respektuar me atë që kërkon La Liga. Jemi të sigurt se do të arrijmë t’i regjistrojmë blerjet”, ka thënë Joan Laporta.

Presidenti Laporta ka qenë euforik gjatë gjithë prezantimit të golashënuesit polak, duke thënë se po bëjnë një ekip të madh.

“Po bëjmë një ekip të madh, e kemi përballuar mirë presionin. Është një ditë historike. Dhe ne vazhdojmë të punojmë”, ka thënë ai.

“Barcelona ka të hyra prej 868 milionë euro në këto dy muaj. Ne kemi një bilanc të shëndetshëm në pasqyrën e të ardhurave. Kemi bërë një përpjekje të madhe”, ka thënë Laporta, duke shtuar se kanë dal nga ‘spitali’ si klub dhe po bëjnë më mirë. /Telegrafi/