Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se strategjia sektoriale e shëndetësisë 2017-2021 është dokumenti kryesor që përcakton drejtimin dhe qasjen strategjike afatmesme të zhvillimit të sistemit shëndetësor në Republikën e Kosovës.
Ai tha se qëllimi i këtij dokumenti, është jetësimi i vizionit për ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore dhe të sigurta për të gjithë qytetarët e vendit.
Ministri tha se analiza e gjendjes aktuale të sistemit shëndetësor ka paraqitur nevojën e zhvillimit të ndryshimeve dhe zbatimit të reformës në sistemin shëndetësor, qoftë në aspektin e riorganizimit të sistemit aktual dhe institucioneve gjegjëse, ashtu edhe në sigurimin e qëndrueshmërisë financiare të sistemit.
Mybera Mustafa, këshilltare e kryeministrit për shëndetësi, tha se strategjia sektoriale 2017- 2021, ka qenë e nevojshme për kohën dhe ofron kornizën se si do të funksionojë shëndetësia në pesë vitet e ardhshme.
Gjithashtu, ajo tha se kabineti i kryeministrit premton se sektori i shëndetësisë do të gjejë mbështetje në këtë institucion për përmirësim të shëndetësisë në Kosovë.
Ambasadorja e Luxenburgut, Anne Dostert, tha se miratimi dhe lansimi i kësaj strategjie tregon përkushtimin për të përmirësuar shëndetësinë kosovare. /kp/