Telegrafi

Lansohet programi “Sport në Shkolla”, synohet ndërtimi i një shoqërie aktive

Federata e Sportit Shkollor të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka lansuar sot Programin Nacional “Sport në Shkolla”, program ky që ka për qëllim shtimin e numrit të aktiviteteve sportive nëpër të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës si dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend.

Me këtë rast, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite në Podujevë tha se ky program synon ndërtimin e një shoqërie aktive dhe të shëndetshme si dhe mirëqenien e të rinjve.

“Jemi mbledhur këtu së bashku për të shënuar fillimin e programit ‘Sport në Shkolla’, nismë kjo e cila synon fuqizimin e nxënësve dhe të rinjve tanë përmes ndërlidhjes së arsimit me sportin dhe të sportit me shëndetin.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe federatat sportive kanë hartuar programin ‘Sport në Shkolla’ i cili ka për qëllim ndërtimin e një shoqërie aktive dhe të shëndetshme nëpërmjet pjesëmarrjes së rregullt me aktivitete fizik dhe sportiv. Mirëqenia e të rinjve është kryefjala e këtij programi”, ka thënë Kurti.

I pari i Qeverisë së Kosovës shtoi se programi në vete përfshinë pesë komponentë.

“Programi është hartuar në kornizë kohore prej gjashte vitesh dhe i përfshinë pesë komponentë. Zhvillimi i aktivitetit të rregullt sportiv dhe fizik në shkollë, organizimin e garave sportive në shkolla, ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve për organizimin e aktivitetit sportiv, furnizimin e shkollave me pajisje sportive dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive shkollore”, theksoi Kurti.

E komuna ku u lansua ky projekt ishte ajo e Podujevës.

Kryetari i saj, Shpëtim Bulliqi, tha se ky program gjithashtu i ndihmon nxënësit të zhvillojnë aftësitë e tyre sociale.

“Aspekti fizik dhe vitaliteti i nxënësve është tejet i rëndësishëm për shëndetin fizik dhe psiqik të tyre. Aktivitete sportive jo vetëm që i ndihmojnë ata që ta ruajnë një trup të shëndetshëm, por gjithashtu i ndihmon nxënësit të zhvillojnë aftësitë e tyre sociale. Angazhimi i të rinjve në sport është i rëndësishëm për të ardhmen e tyre”, tha Bulliqi.

Pas përfundimit të ceremonisë për lansimin e këtij projekti në shkolla, kryeministri Kurti zhvilloi një takim me kryetarin Bulliqi, në objektin e komunës. /kp/