Site icon Telegrafi

Prezantohet programi për subvencionimin e fermerëve vendor

Qeveria e Kosovës ka lansuar programin për pagesa direkte për bujqit në vitin 2023. Kryeministri Albin Kurti tha se buxheti për bujqësi gjatë këtij viti pritet të kalojë vlerën e 100 milionë eurove, i cili sipas tij do të kontribuojë në forcimin ekonomik të bujqve të Kosovës.

Në konferencë për medie të premten, Kurti përmendi disa prej sukseseve që i kanë arritur në këtë fushë vitin e kaluar, mirëpo tha se garën me vetën për mbështetjen e bujqve po e fillojnë sot.

“Startin për këtë vit e kemi shumë të mirë. Buxhetin për bujqësi për vitin 2023 për herë të parë do të arrijë shifrën 87 milionë euro. Bashkë me mbështetjen në fondet e jashtme pritet të kalojë vlerën prej 100 milionë euro”.

“Garën me vetën në fushën e bujqësisë po e fillojmë sot, vetëm në ditën e gjashtë të vitit si asnjëherë më parë së bashku me ministrin Faton Peci, po shpalosim para jush programin për pagesa direkte 2023. Ky program në krahasim me vitin 2022 mes tjerash ka disa risi të cilët ne jemi të bindur se do të kontribuojnë në sektorin e bujqësisë dhe forcimin ekonomik të bujqve tanë”, tha ai.

Bashkë me Kurtin ishte edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili tha se lansimi i këtij programi është i mundur pasi vitin e kaluar në afat rekord kanë mbështetur bujqit në Kosovë.

“Ky program është i mundur pasi vitin që lamë pas në afat rekord mbështetëm vetëm në kategorinë e subvencioneve 28 mijë e 222 fermerë në vlerë 61 milionë euro pa asnjë obligim financiar si asnjëherë më parë. Si rezultat i përkrahjes së madhe është shënuar rritje në eksportet bujqësore në shkallë 44 për qind”, theksoi Peci. /kp/

Exit mobile version