Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka shpalosur aplikacionin digjital “Lajmëro Policinë”, i cili ofron mundësi të mira kontakti të qytetarëve me policinë për raportimin e rasteve të ndryshme.
Shpjegimet dhe udhëzimet më të hollësishme lidhur me këtë aplikacion i bëri sot, drejtori i DRP-së të Ferizajt, nënkolonel Basri Shabani.
Ai tha se përmes kësaj platforme elektronike, qytetarëve iu mundësohet t’i raportojnë të gjitha rastet në Policinë e Kosovës, duke ndjekur disa hapa për përdorimin e këtij aplikacioni si një alternativë e re e pakufizuar në kohë, mundësi dhe territor.
Përmes aplikacionit, qytetari vetëm brenda pak sekondash, mund të ndajë informacione me policinë.
Aplikacioni ofron transparencë, konfidencialitet, pasi që të gjitha raportimet dokumentohen dhe denoncimi i qytetarëve mund të mbetet anonim, varësisht nga përzgjedhja e qytetarit.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj fton të gjithë qytetarët që të shkarkojnë këtë aplikacion në telefonat e tyre dhe për të gjitha rastet kriminale, pa asnjë hezitim ta njoftojnë policinë. /Telegrafi/