Miq, familjarë, kolegë e dashamirë i dhanë sot (e martë) lamtumirën e fundit kantautorit të mirënjohur shqiptar Françesk Radi.
I ndjeri humbi jetën më 3 prill në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë pas një qëndrimi për rreth pesë ditë në koma, shkas i një hemorragjie cerebrale. Ai u nda nga jeta në moshën 68 vjeçare.
Në hollin e Radio Televizionit Shqiptar sot u bënë homazhe për të nderuar kujtimin dhe krijimtarinë e tij artistike që la pas vetes.
Në homazhet e bëra gjatë paraditës, pak para përcjelljes për në banesën e fundit, të pranishëm ishin shumë fytyra publike të cilët mes dhimbjes dhe lotëve po përshëndeteshin për herë të fundit me kantautorin e madh.
Tefta Radi, bashkëshortja e të ndjerit përloti të gjithë me fjalimin e saj, duke falënderuar të pranishmit dhe duke kujtuar me lot dashurinë e madhe që pati për bashkëshortin.
“Dua thjesht t’ju përshëndes, t’ju falenderoj për respektin ndaj Frankos, dua të them se unë u dashurova me Frankon atëherë kur të tjerët kishin frikë t’i flisnin dhe prej tij u bëra kopje e tij, mësova si të dashuroj, si të punoj dhe si të kem dinjitet. Faleminderit të gjithëve për respektin”, tha ajo e përlotur dhe me zërin që i dridhej. /Telegrafi/