Telegrafi

Lamtumira e Fidel Kastros: Më erdhi radha edhe mua (Video)

“Së shpejti do të bëhem 90 vjeç. Së shpejti do të jem si gjithë të tjerët. U vjen radha të gjithëve”. Fidel Kastro nuk e përdor kurrë fjalën vdekje, por në fjalimin e tij lamtumira është e qartë.

Lideri komunist i kubanëve ka folur para një turme prej 1300 vetash në Havana.

“Ndoshta kjo do të jetë hera e fundit që ju flas nga ky vend”, tha ai ndërsa turma e ndërpriste herë pas here me brohorima.

“Idetë e komunistëve kubanë do të mbeten si provë mbi këtë planet, sepse nëse punon shumë dhe me dinjitet, mund të nxjerrësh të mira materiale dhe kulturore, për të cilat qeniet njerëzore kanë shumë nevojë”, tha ai.

Fjalimi i Fidel Kastros erdhi krejt papritur pas një kohe të gjatë vetëdistancimi, në përfundim të Kongresit të Shtatë të Partisë Komuniste të Kubës, përcjell Shekulli, e cila konfirmoi edhe një herë drejtimin e vendit nga “garda e vjetër”, pavarësisht se presidenti Raul Kastro ka paralajmëruar se do të largohet në vitin 2018.

Në krah të tij, i zgjedhur sekretar i Përgjithshëm, është konfirmuar si numri dy një shok i vjetër lufte, Jose Machado Ventura (85 vjeç).

Ministër i Forcave të Armatosura do të jetë gjenerali Leopoldo Cintra Frias (72 vjeç).