Chelsea është njëra nga skuadrat më aktive këtë afat kalimtar veror.
Skuadra londineze ka arritur të transferojë futbollistë jashtëzakonisht të mirë dhe kësisoj është njëra nga ekipet konkurrente për titullin e kampionit.
Malang Sarr, Ben Chilwell, Thiago Silva, Timo Werner dhe Hakim Ziyech janë deri më tani lojtarët që i janë bashkuar londinezëve.
The Blues nuk e kanë ndërmend të ndalen me kaq, pasi janë duke pritur t’i kompletojnë edhe dy transferime të tjera.
Objektivi kryesor mbetet Kai Havertz i Bayer Leverkusen, ku mediat angleze dhe ato gjermane kanë raportuar që marrëveshja është arritur dhe pritet vetëm zyrtarizimi.
Talenti i madh gjerman pritet t’i kushtojë Chelseat mbi 100 milionë euro, pasi 80 milionë do të paguhen fillimisht dhe një shumë prej afro 30 milionë në formë bonusesh.
Ndërkohë emri tjetër që pritet t’i bashkohet skuadrës së Frank Lampard është ai i portierit kamerunas të Ajaxit, Andre Onana.
Për portierin afrikan, Chelsea pritet të shpenzojë rreth 40 milionë euro.
Formacioni për edicionin e ri
Trajneri i Chelseat, Frank Lampard do të ketë shumë zgjedhje, pasi përveç që është forcuar formacioni bazë, ai ka edhe shumë zgjedhje në bankën rezervë.
Andre Onana pritet të jetë portieri titullar, ndërsa mbrojtja do të përbëhet nga Reece James dhe Ben Chilwell në krahë, kurse Thiago Silva dhe Malang Sarr në qendër.
Dy mesfushorët defensivë do të jenë N’Golo Kante së bashku me Matteo Kovacic, ndërsa Kai Havertz më i avancuar.
Treshja e sulmit është vërtetë e frikshme, pasi Hakim Ziyech dhe Christian Pulisic pritet të luajnë në krahë të Timo Werner.
Edhe banka rezervë nuk pritet të jetë keq, pasi aty ka emra si Tammy Abraham, Mason Mount, Callum Hudson-Odoi, Olivier Giroud, Antonio Rudiger, Cesar Azpilicueta, Jorginho, Ross Barkley apo Ruben Loftus-Cheek. /Telegrafi/