Telegrafi

Lampard për lëndimin e Kantes: Shpresoj të jetë i gatshëm për takimin ndaj Unitedit

Frank Lampard është deklaruar rreth lëndimit që pësoi N’Golo Kante dhe mungesës së francezit në fitoren 2-1 ndaj Barcelonës gjatë miqësores së zhvilluar në Japoni.

Skuadra londineze e mposhti kampionin e La Liga-së në ‘Rakuten Cup’, mirëpo mesfushori francez kishte një përsëritje të lëndimit, që e pësoi sezonin e kaluar, gjatë përballjes me Arsenalin në finalen e Ligës së Evropës.

Trajneri i The Blues ka zbuluar se mesfushori 26-vjeçar pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë të sezonin 2019/20 që do ta zhvillojnë ndaj Manchester Unitedit.

Granit Xhaka në duel me N’Golo Kanten (Foto: Michael Regan/Getty Images/Guliver)

“Unë e dërgova atë në shtëpi disa ditë më parë. Edhe pse e di sa e rëndësishme është një udhëtim për një lojtar që po rehabilitohet nga lëndimi, më mirë për të është që të qëndrojë në Cobham (Qendra stërvitore e Chelseat), duke marrë parasysh shërbimet që i kemi atje”, ka thënë Lampard.

“Nuk është një hap i madh që ka bërë prapa. Ai është duke u zhvilluar dhe shpresoj që të rikthehet shpejtë në stërvitje. Mendoj se ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Manchester Unitedit”, ka shtuar më tej anglezi.

Ndeshja në mes të Chelseat dhe Djajve të Kuq do të zhvillohet më 11 gusht në Old Trafford, ndërsa të dy skuadrat do të tentojnë ta fillojnë sezonin me fitore. /Telegrafi/