Frank Lampard ka bërë të ditur se do të bisedojë me pronarin e Derby Countyt, Mel Morris, pas ndeshjes së ‘play-offit’ ndaj Aston Villas në Wembley, gjersa spekulimet po rriten se ai mund ta zëvendësojë Maurizio Sarrin te Chelsea.
Sidoqoftë, 40-vjeçari u ka premtuar tifozëve të skuadrës angleze se këto spekulime nuk do të ndikojnë në ndeshjen vendimtare për t’u futur në Ligën Premier nga sezoni i ri, e që njëherësh është edhe përballje historike.
Lampard është 90-të minuta larg që ta rikthejë Derby Countyn në Ligën Premier, pas 11 vitesh qëndrimi në Championship.
Por, tabloidet angleze shkruajnë se legjenda angleze është duke u kërkuar nga Chelsea si zëvendësues i Sarrit, derisa është edhe dëshirë e Roman Abramovichit që të rikthehet në Stamford Bridge.
“Së pari, unë e shikoj si tejet të vështirë, pasi që ata (Chelsea) kanë para vetes një sfidë të vështirë ndaj Arsenalit në Ligën e Evropës, më kryesorja është se edhe ne kemi një përballje edhe më të rëndësishme”, ka thënë fillimisht Lampard.
“Po ashtu, ata kanë trajner Sarrin, që po bën gjithçka për ta fituar finalen. Zëra të tillë kanë qarkulluar që disa javë, por unë jam i qetë”, ka shtuar më tej ish-mesfushori anglez.
“Pas ndeshjes ndaj Aston Villas, unë do të bisedoj me pronarin e Derbyt dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë, por unë i siguroj tifozët tanë se jemi të fokusuar në rikthimin në Ligën Premier dhe asgjë tjetër nuk merr vëmendjen time”, ka theksuar legjenda e Chelseat. /Telegrafi/