Site icon Telegrafi

Lajmi se është rrëmbyer një aeroplan evakuimi në Kabul krijoi konfuzion gjithandej – por çfarë ndodhi në të vërtetë?

Konfuzioni mbretëroi të martën mes mesazheve kontradiktore nëse një aeroplan ukrainas ishte rrëmbyer në Afganistan.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Yevgeny Yenin, zëvendësministri i jashtëm i Ukrainës, kishte thënë se aeroplani u “rrëmbye de fakto” nga aeroporti i Kabulit më 15 gusht, nga ku “fluturoi për në Iran me një grup udhëtarësh të panjohur në vend që të evakuonte ukrainasit”.

Megjithatë, ministria e jashtme e Yenin atëherë mohoi pretendimet.

Zëdhënësi i ministrisë Oleg Nikolenko i tha agjencisë së lajmeve AFP se pretendimet e Yenin “nuk korrespondojnë me realitetin”.

“Nuk ka aeroplanë ukrainas të rrëmbyer në Kabul ose diku tjetër”, kishte thënë Nikolenko.

Sipas euronews, përcjell Telegrafi, të tre aeroplanët – dy civilë dhe një ushtarak – që Kyiv mori me qira për të evakuuar shtetasit e tij nga Afganistani “u kthyen në Ukrainë të sigurt” duke transportuar gjithsej 256 pasagjerë në bord, shtoi ai.

Ndërkohë një burim në qeverinë ukrainase i tha AFP se aeroplani i përmendur nga Yenin ishte duke u negociuar me qëllim pjesëmarrjen e tij të mundshme në operacionin për evakuimin e shtetasve ukrainas, por ky projekt kishte dështuar sepse aeroplani ishte larguar nga Kabuli pa paralajmërim javën e kaluar.

“Ne donim ta ngarkonim atë, por ai u largua pa marrë askënd”, shtoi burimi. “Askush nuk e rrëmbeu atë”, tha ajo pa qenë në gjendje të specifikonte destinacionin e aeroplanit ose datën e saktë të nisjes së tij.

Ndryshe, Ukraina deri më tani ka organizuar tri fluturime evakuimi që u larguan nga Kabuli më 15, 21 dhe 23 gusht, përfshirë ukrainasit dhe afganët, si dhe regjisoren Sahraa Karimi, yll i kinemasë së pavarur afgane. /Telegrafi/

Exit mobile version