Site icon Telegrafi

Lajmi në televizionin gjerman për pushimet “horror” në Durrës, reagon menaxheri i hotelit: RTL mashtron, do hapim gjyq

Së fundmi në mediat gjermane, por edhe në Shqipëri është publikuar një lajm lidhur me pakenaqësitë që kanë patur disa turistë gjermane që kanë pushuar në Durrës.

Në faqen online të televizionit të njohur gjerman RTL, shkrimi është shoqëruar edhe me një video të filmuar nga çifti Melanie Zeeb dhe Michal Bürger.

Sipas tyre hoteli nuk përmbushte kushtet e paraqitura në platformat online, si dhe ishte i rrethuar nga plehrat.

Në një prononcim për Euronews Albania menaxheri i hotelit, Eriklent Kollollari, thotë se po përgatisin dosjen voluminoze për të hapur një gjyq ndaj televizionit RTL pasi ka publikuar një lajm dezinformues.

Menaxheri theksoi se videot ku shihen shkallet e një godine me plehra nuk ndodhen në hotel, por në një pallat që ndodhet afër hotelit.

Lexo po ashtu "Plehra, tarifa shtesë dhe kërcënime”, RTL zbulon pushimet e çiftit gjerman në Durrës

Gjithashtu ai shton se turistët nuk kanë paguar para ekstra për akomodimin dhe nuk kanë shfaqur asnjë shqetësim gjatë kohës së qëndrimit.

“Ajo pamja me plehra te shkallët nuk është ambient i hotelit, por është një pallat. Ata kanë ardhur më datën 21 gusht dhe kanë ikur më datë 1 shtator. Nuk kanë manifestuar gjatë qëndrimit asnjë shqetësim. Godina është ngjitur me hotelin, por nuk është pjesë e hotelit, janë shkallët e një pallati. Në momentin që është bërë foto nga turistët ka pasur shumë plehra, por janë hequr. Unë nuk kam fuqi për mirëmbajtje për një pronë që nuk është e jona. Klientët janë paraqitur në recepsion në orën 23:30 janë akomoduar pa kryer asnjë lloj pagese dhe pagesa është bërë më 28 gusht. Kanë qenë të njoftuar për pagesën. Ne kemi marrë masat tona dhe kemi kontaktuar agjensinë, pas ata nuk treguan rezervimin,” tha menaxheri i hotelit.

“Fakti që nuk kam publikuar materiale nuk do të thotë që nuk do publikojmë. Po grumbullojmë të gjithë informacionet dhe do hapim një gjyq pasi është një shkatërrim total për biznesin. Pasi artikull lexohet në shumë shtete dhe ndikon në klientelën tonë. Dëmi për një hotel që ka klientë në këto shteti ku lexohet ky atikull është shumë i madh”, shton ai.

“RTL më ka marrë në telefon pas përgjigjeve që unë kam dhënë. Ata më kanë thënë se nuk është qëllimi i tyre të publikojnë “fake news” dhe në një farë mënyrë jo drejtpërdrejtë më kërkuan ndjesë. Lajmi qëndron akoma, por është shtuar një shënim për procedurat që vijnë më vonë. Do ta ndjekim me avokatë dhe do ta çojmë në gjyq”, tha menaxheri i hotelit. /Telegrafi/

Exit mobile version