Site icon Telegrafi

Lajmet e rrejshme – problem i shoqërisë

Konferenca e sotme e titulluar “Gazetaria si fushë betejë – lajme të rreme dhe propaganda” në suaza të programit për media në Evropën Juglindore të Fondacionit Konrad Adenauer dhe grupit “Article 10 ECHR” Task Force nga Universiteti evropian i Frankfurtit, kishte për temë lajmet e rrejshme dhe propagandën si dy çështje aktuale në Evropën Juglindore dhe në mbarë botën, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Dukuria e lajmeve të rrejshme është e pranishme në disa nga mediat në Maqedoni, por ajo është një dukuri botërore për të cilën diskutohet gjithnjë e më shumë dhe kërkon masa dhe zgjidhje, duke pasur parasysh implikimet që krijon dukuria e tillë e shpalljes së informatave të pavërteta, gjë që është e ndryshme nga propaganda dhe dezinformata, thotë Marija Tuneva, drejtore ekzekutive e Këshillit për etikë në mediat e Maqedonisë.

“Duke folur nga përvoja në Këshillin për etikë në media, shumë shpesh jemi dëshmitarë të rasteve me dezinformata, informata të rrejshme, shpallja e lajmeve në suaza të ndonjë agjende ose lajme të krijuara nga ndonjë qendër tjetër, ose thjesht informatat e pranuara nuk kontrollohen dhe si të tilla shpallen në media. Njëra nga masat e mundshme do të ishte ngritja e nivelit të edukatës për media te qytetarët”, tha Tuneva.

Sipas profesorit Johannes Weberling nga Univesiteti evropian i Frankfurtit, lajmet e rrejshme nuk kanë asgjë të përbashkët me gazetarinë e vërtetë.

“Gazetaria serioze është themel për demokraci të lirë dhe liberale ndërse lajmet e rrejshme janë ana tjetër e temës. Mendoj se lajmet e rrejshme nuk kanë asgjë të përbashkët me gazetarinë dhe lirinë e mediave, gjegjësisht ata janë problem i shoqërisë”, tha profesori gjerman./Telegrafi/

Exit mobile version