Një vëzhgim i Shqiptarja.com tregon se lajmet e rrejshme (Fake News) po bëhen gabim viral i mediave online. Askush nuk mban përgjegjësi për tekstet që shkruhen dhe shpërndahen pa burime dhe pa fakte.
Kështu ndodhi herën e fundit. “Rusia ka blerë një televizion dhe tre portale në Tiranë”, ishte titulli që i bëri kureshtar të gjithë. Teksti i lajmit fliste për një deklaratë të bujshme të Mark Gjonajt, asamblist në New York. Sipas medias në fjalë, Shqipëria është pjesë e një projekti të quajtur “NEW-Alb-Transfert Media Contract”, që synon të ndikojë opinione publike përmes blerjes dhe përdorimit të medias.
Linku i lajmit kaloi menjëherë tek të gjithë. Nga kërkimi në Google rezultoi se ky lajm ishte në shumë portale të tjera. Në pesë portale të ndryshme lajmi kishte veç një burim: emrin Mark Gjonaj, personi që supozohej se ka bërë deklaratën.
Lehtësitë teknologjike nuk prodhojnë përmbajtje, por rrisin cilësinë e saj, gjithmonë kur përdoren zgjuar. Kështu u dërgua një email në adresën zyrtare të Këshilltarit Mark Gjonaj (GjonajM@nyassembly.gov), ku shtrohen pyetjet rreth deklaratës që qarkullonte në media.
Përgjigja zyrtare erdhi shpejt. Gjonaj mohoi deklaratën që është shpërndarë në portale dhe kërkoi të fshihej menjëherë një artikull të tillë.
“Po ju shkruaj në lidhje me një artikull të botuar ditëve të fundit në portale të ndryshme: ‘Rusia ka blerë një televizion në Shqipëri dhe tre portale, së shpejti edhe një gazetë’, më 14 qershor 2017 ku identifikohem si asamblist i Shtetit të New Yorkut. Dua të bej të ditur publikisht dhe kategorikisht se as unë dhe as dikush në emrin tim nga zyra ime e Asamblesë apo e fushatës nuk ka shkruar një artikull të tillë, nuk ka dhënë intervistë dhe as ka komentuar në lidhje më këtë çështje.”
Në anën tjetër, Ambasada Ruse në Tiranë ka përgënjeshtruar pretendimet se Moska ka blerë disa media në Shqipëri. Në një reagim zyrtar, Ambasada e cilëson autorin e shkrimit, Mark Gjonaj, si një spekulant antirus. /Shqiptarja/