Ish-kryeministri i Egjiptit, Ahmed Shafiq, ka dhënë një intervistë të drejtpërdrejtë telefonike në televizion duke mohuar raportimet e deritanishme se është rrëmbyer.
Familja e tij kishte shprehur frikën se ai mund të jetë rrëmbyer pas kthimit të tij në Egjipt, pas dëbimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe të shtunën, ku po qëndronte për pesë vjet në ekzil.
Dëbimi i tij erdhi pasi Shafiq shprehu synimin e tij për të kandiduar për president të Egjiptit në vitin 2018, plan për të cilin në intervistën telefonike tha se është duke e rishqyrtuar.
Familja e tij lëshoi një deklaratë të shtunën duke thënë se kontakti me të ka qenë i pamundur pas arritjes së tij në Egjipt. Ndërkohë, të dielën, avokatja e tij Dina Adly, lëshoi një deklaratë të shkurtër duke thënë se e kishte takuar Shafiqin në një hotel në Kajro, transmeton KosovaPress.
Shafiq iku në Emiratet e Bashkuara Arabe pasi humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 ndaj Mohammed Morsi, i cili lëshoi një urdhërarrest për të për akuzat për korrupsion.