Në Klinikën Infektive të QKUK-së, janë duke u trajtuar edhe tri raste të reja të dyshuar që janë prekur me Coronavirus.
Në mesin e personave që po trajtohen është edhe një person me origjinë nga Kina i cili ka ardhur në Kosovë në fillim të muajit shkurt.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu.
“Personat që po trajtohen janë një femër 27 vjeçare nga Prishtina e cila studion në Itali në afërsi të Romës, një mashkull 39 vjeç nga Prishtina i cili është i punësuar në Milano dhe një shtetas kinez 28 vjeçar i cili ka ardhur nga Kina në Kosovë më 02.02.2020”, ka thënë Fazliu.
Fazliu ka thënë se të njëjtit janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive që nga mbrëmë, ndërkaq iu janë marrë mostrat për analiza dhe janë dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike. /Telegrafi/