Telegrafi

Lajme të rrejshme mund të ndikojnë në zgjedhjet e radhës (Video)

Në emisionin “Përballje” të transmetuar në RTV Dukagjini, është diskutuar për lajmet e rrejshme dhe rëndësinë që e kanë ato lajme për publikun.

Besa Luci, kryeredaktore e Kosova 2.0, thotë se lajmet e rrejshme nuk janë fenomen i ri, pasi ato hasen që në fillet e gazetarisë.

“Sot lajmet e rrejshme shpërndahen më lehtë, për shkak të rrjeteve sociale – ku janë të kyçur 1.7 miliardë njerëz. Në Kosovë 76 për qind e qytetarëve e përdorin internetin, nga të cilët 73 për qind rrjetin Facebook”, ka deklaruar Luci, duke shtuar se gënjeshtrat po shtohen për përfitime politike e materiale.

Ndërkaq, Parim Olluri – drejtor te Insajderi.com – ka thënë se në Kosovë ka media e gazetarë që punën e bëjnë si duhet, porse në përgjithësi ka pak media e gazetarë profesionalë. Sipas tij, lajmet e rrejshme mund të shtohen gjatë zgjedhjeve të sivjetme lokale, e sidomos nëse do të kemi edhe zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

“Partitë politike e dinë mirë rrugën se si – lehtësisht – mund të mashtrohet publiku me lajme të rrejshme. Dhe, ata do ta shfrytëzojnë mirë këtë mundësi”, ka thënë Olluri. /Telegrafi/